Kur zbritën nga autobusi tensioni ishte në kulm. Futbollistët e Paris SG dhe trajneri Poçetino po shkonin në takim me të vërtetën, në ndeshjen që përcaktonte fatin e tyre këtë sezon, dhe me gjasë ata kanë pyetur veten nëse mund të bëhen brezi më i madh në historinë e klubit. PSG vërtet është emër i vonshëm, por e ka pasur edhe ai një epokë lavdie, pikërisht në vitet 1992-1997 kur arriti pesë gjysmëfinale europiane radhazi, kur fitoi Kupën e Kupave në 1996 dhe humbi finalen e 1997-ës ndaj Barcelonës së “Fenomenit” Ronaldo. Ishin kohë kur fanelën e vishnin Ueah, Zhinola, Leonardo apo Rai.
Pavarësisht yjeve si Nejmar e Mbape frika ishte e madhe dhe përballja me Bajernin e justifikoi plotësisht. Francezët e morën atë që kërkonin, kualifikimin për në gjysmëfinale të Championsit, por humbën 0-1 në “Park dë Prensis”, duke mbijetuar falë suksesit 3-2 në Mynih. Po ashtu, ndryshe nga një javë më parë, parizienët luajtën më mirë, patën më shumë raste, edhe pse sërish Bajerni dominoi fushën. Në përfundim, njeriu ndihet i lumtur kur ia del mbanë, sidomos pasi vuan aq shumë sa Poçetino.
“Ne ishim shumë të përqëndruar gjatë ndeshjes, – tha argjentinasi, – ishte e vështirë, dhe jemi shumë të lumtur. Lojtarët meritojnë përgëzimet më të mëdha, gëzohem për ta, për klubin dhe tifozët, për presidentin dhe Leonardon. Pas 3 muajve që jam këtu, po arrijmë synimet tona. Është kënaqësi kur arrin në gjysmëfinale”.
Nga ana tjetër, hidhërimi ishte i madh tek bavarezët, ndonëse përvoja masive i bën ta mbajnë veten. Trajneri Hansi Flik dhe yjet e tij kishin synim të vazhdonin këtë epokë, që u kthye për momentin në vetëm një vit triumfal si ai 2020. Mungesat ndoshta ishin më shumë sesa mund të përballoheshin, sidomos Levandovski, njësoj sikur Barcelona të luante pa Mesin në formën më të mirë.
“Dua t’i bëj një kompliment të madh skuadrës sime, edhe pse Parisi kaloi, – tha Fliku, – Duhet ta pranojmë humbjen dhe të shohim përpara. Mendoj se do të ishim kualifikuar nëse nuk do ta kishim pësuar golin e tretë në Mynih, patëm shumë raste, por na mungoi grushti i fundit përpara portës. PSG është shumë i rrezikshëm në sulm”.
Edhe gjermanët menduan për të kaluarën, dhe deshën të ishin si brezi i Bekenbauerit, Zep Majerit apo Gerd Mylerit që fitoi tri herë radhazi Kupën e Kampionëve në vitet 1974-1976. Gjithsesi, sukseset mund të vijnë edhe ndryshe, dhe Bajerni sërish mund ta ketë epokën e tij të lavdisë.
Sfidanti.al