Prag Champions, Reali dhe Siti drejt çerekfinaleve!

Është mesjava që jep verdiktet e fundit. Liga e Kampionëve do të luajë sonte dy nga ndeshjet përmbyllëse të raundit të dytë, dhe dy ekipe të tjerë do të sigurojnë çerekfinalet. Reali i Madridit pret Atalantën, ndërsa Mançester siti ndeshet me Borusian e Mynshengladbahut, me nisje në orën 21:00. Kampionët e Spanjës janë në pozita shumë të mira pas fitores 1-0 në Itali, e ndoshta për këtë arsye, tema kryesore në Madrid është ajo e kthimit të mundshëm të Kristiano Ronaldos. Trajneri Zinedin Zidan nuk e mohoi.

“Ndoshta po, – tha Zizuja, – ne e njohim mirë Kristianon, e dimë se çfarë njeriu dhe lojtari është dhe se çfarë ka bërë këtu. Gjithsesi, tani ai është lojtar i Juventusit dhe ne duhet ta respektojmë këtë fakt. Le të shohim se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Kam qenë me fat që e kam stërvitur, një lojtar mahnitës”.

Gjithsesi, Zidani është totalisht i përqëndruar tek ndeshja dhe skuadra e tij pa mungesa. Karvahal, Odriozola, Marselo dhe Diaz nuk pritet të luajnë, dhe mesfushori i rëndësishëm Kasemiro është i pezulluar. Për fat, kapiteni Sergio Ramos është kthyer, veçse Eden Hazar sërish pati probleme fizike dhe maksimumi mund të jetë në stol. Atalanta, ndërkaq, e ka të qartë se ka përpara vetes një mision thuajse të pamundur. Humbja 0-1 në shtëpi e bëri edhe më të vështirë detyrën për t’ia dalë ndaj Realit, por gjithsesi mbi italianët nuk ka asnjë presion. E kush mund t’i qortojë për eleminimin ndaj Realit? Trajneri Xhampiero Gasperini thekson pikërisht këtë fakt.

“Do të ishte mendjemadhësi po të thoshim se do të shkojmë që ta mundim Realin me çdo mënyrë, – u shpreh Gaspi, – Reali ishte favorit që kur u hodh shorti dhe tani është edhe më shumë, por Atalanta është ende gjallë. Le të bëjmë lojën tonë, jemi përgatitur për këtë”. Bergamaskët kanë pak shqetësime, vetëm Hatebërin e dëmtuar dhe Frojlerin e pezulluar. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, pritet në formacion ashtu si Zapata, Muriel apo Pashaliç.

Sfida tjetër, po në orën 21:00, është ajo mes Mançester Sitit dhe Borusias së Mynshengladbahut. Të dyja skuadrat kanë udhëtuar drejt Budapestit, aty ku u luajt ndeshja e parë, fituar nga anglezët me shifrat 2-0. Siti jepet favorit për kualifikimin për në çerekfinale, dhe shumëkush beson se do të fitojë çdo trofe të mundshëm.

“Unë nuk pres që të fitojmë të 4 titujt këtë vit, – thotë Guardiola, – kur je skuadër angleze kjo është shumë e vështirë. Natyrisht, ne duam të fitojmë Premier Ligën dhe Championsin, por ta shohim”. Të dyja skuadrat kanë pak mungesa, ndërsa Siti është favorit jo vetëm për kualifikimin, por edhe për fitoren e titullit.

Sfidanti.al