Prag Champions, Atletiko-Man. Junajtid për të dalë nga kriza!

Ka status heroi tek tifozët, ka fituar shumë, por është në vështirësi. Diego Pablo Simeone po kalon krizën më serioze që kur u bë trajner i Atletikos së Madridit, edhe pse kanë kaluar vetëm 9 muaj pas titullit të dytë kampion në La Liga. Njeriu që ka fituar 8 trofe të rëndësishëm me këtë ekip, dhe që është trajneri më i paguar i futbollit në botë, ndodhet në udhëkryq dhe sfida me Mançester Junajtidin në Champions mund të vendosë shumë. Ndërsa përgatit ekipin, Simeone e di se eleminimi mund ta dëmtonte, ndërsa suksesi ta ndihmonte të linte krizën pas. Tekniku do të ketë probleme pasi Karrasko është i pezulluar, ashtu si Felipe, ndërsa Vas, Kunja dhe Koke janë të dëmtuar.

“Kemi përballë një nga ekipet më të mirë të botës, – tha argjentinasi, – në 14 ndeshjet e fundit ka humbur vetëm një herë. Ardhja e Rangnikut e bëri Junajtidin më të fortë, më të bashkuar. Ekipi sakrifikohet më shumë dhe ne po shohim skuadrën që njohim, që luan me ritëm të lartë dhe shumë dinamike”.

“Djajtë e kuq” kanë pak probleme, dhe pikërisht të pezulluarin Mejzën Grinvud dhe të dëmtuarin Edinson Kavani. Fitorja e fundit në Premier Ligë në fushën e Lidsit i dha zemër ekipit e tifozëve, por Junajtidi ende nuk mund të thuhet se e ka kaluar lumin. Trajneri Ralf Rangnik mbetet nën kritika, ndërsa forma e Ronaldos, Bruno Fernandesit apo kapitenit Megajer është mister. Gjithsesi, CR7 mbetet makthi i Atletikos pasi i ka shënuar shumë gola dhe i ka bërë shumë dëme.

“Ne e kemi rritur nivelin, – thotë Ranniku, – por kaq nuk mjafton. Duhet të kemi vazhdimësi dhe të imponojmë lojën tonë. Në Madrid e dimë se do të gjejmë një atmosferë të vështirë, sidomos për Kristianon dhe Rafael Varanin që kanë qenë pjesë e Realit. Sidoqoftë, ne jemi me përvojë ndaj jemi optimistë”. Përballja luhen në “Uanda Metropolitano” të Madridit në 21:00, në të njëjtën orë me sfidën Benfika-Ajaks.

Sfidanti.al