Kilian Mbape “ngroh” marrëdhëniet me PSG-në, Reali ka “vetëm” 65 për qind!

Ky emër po përsëritet pa fund, dhe kështu mund të jetë deri në verë. E ardhmja e Kilian Mbapesë është çështja kryesore e transferimeve në futboll, ndërsa kampioni i botës mbetet ende mes Paris SG dhe Realit të Madridit. Nga Franca sigurojnë se situata ka ndryshuar dhe se 23-vjeçari është tani më pranë klubit parizien sesa ishte më parë. Analisti Zherom Roten, ish-lojtar i PSG-së, deklaron për televizionin RMC se Mbape i ka ngrohur raportet me klubin. Sipas tij, nëse verën e kaluar shanset që sulmuesi të shkonte tek Reali ishin 99 për qind, tani po flasim për 65 për qind mundësi.

Pra, përsëri Mbape është më pranë Madridit, ndonëse presidenti i klubit francez, Naser Al Helaifi, ka shpresa për ta bindur që të rinovojë. Oferta e sheikut, sipas mediave, mund të arrijë në 50 milionë euro në sezon, rroga më e lartë sot në botën e futbollit. Gjithsesi, Mbapeja ka vendosur disa kushte, dhe dëshiron të jetë ai lideri i ekipit, po ashtu synon që të ketë më shumë disiplinë, dhe jo favorizim i yjeve amerikanojugorë si Nejmar apo Mesi. Presidenti i Realit, Florentino Perez, është thuajse i bindur se 23-vjeçari do të kalojë në “Santiago Bernabeu”, ndërsa vjet dështoi me ofertën deri në 200 milionë euro për PSG-në. Vetë Mbape ka refuzuar të komentojë për të ardhmen, ndërsa synimi i tij është vetëm që të fitojë trofe këtë sezon, diçka që kërkon që së pari të eleminojë Realin.

Sfidanti.al