Prag Bajern-Paris SG, bavarezët kanë një ekip të bashkuar dhe francezët kanë Mbape-Nejmar!

Një finale e parakoshme u luajt dje, një tjetër do të jetë sot. Pas Real-Liverpul, Championsi ka në program një Bajern-Paris SG sërish në orën 21:00, ndonëse për fat të keq, stadiumi “Alianc Arena” do të jetë sërish bosh. Bavarezët jepen si favoritë për të kaluar në gjysmëfinale, por këtë do ta arrijnë vetëm pas dy ndeshjeve që parashikohen të forta.

Dëmtimi i sulmuesit kryesor Robert Levandovski është goditje e madhe për ta, ashtu si edhe infektimi me kovid i Serg Gnabrisë. Gjithsesi, Bajerni është i pathyer ende këtë sezon në Champions dhe ka 19 ndeshje radhazi që nuk i ndodh. Trajneri Hansi Flik shpreson që kjo seri të vazhdojë, ashtu siç ekipi i tij ishte bindës në sfidën për titull në Bundesligë fituar në fushën e Lajpcigut.

“Ne nuk kemi asnjë epërsi ndaj Parisit për faktin se fituam finalen vitin e kaluar, – tha Fliku, – nuk e di sesi e mendojnë kundërshtarët, por unë gjykoj kështu. Është një ndeshje e re, një trajner i ri, një ekip i ri. Duam që të shkojmë në gjysmëfinale dhe duhet të jemi shumë të përqëndruar në të dyja. Duhet të kemi kujdes nga shpejtësia e sulmuesve të tyre”.

Në Francë e dinë se edhe kanë shanse, por edhe se nuk konsiderohen të favorizuar. Humbja në kampionat me Lilën e acaroi situatën, duke vënë në vështirësi edhe shanset për titull. Trajneri Maurisio Poçetino po e kupton sesa e vështirë është të drejtosh një skuadër të tillë, siç e provoi paraardhësi i tij, Tomas Tuhel. Gjithsesi, besimi ekziston dhe e përditshmja pariziene “L’Ekip” bën thirrje për t’ia dalë mbanë. Revista “Kiker”, ndërkaq, thekson fjalët e Poçetinos, që thotë se vërtet që Bajerni nuk ka Levandovskin dhe Gnabrinë, por edhe finalistët e vjetshëm nuk i kanë disa lojtarë që kishin vjet, si Tiago Silva, Kavani, po ashtu nuk luajnë Ikardi, Florenci, Verrati dhe Paredes.

“Ne duam ta kemi këtë trofe në duart tona, – tha argjentinasi, – dhe ne kemi pikat tona të forta dhe mund të mundim çdo ekip në botë. Natyrisht, Bajerni ka një skuadër të madhe, jo më kot fitoi Championsin dhe Kupën e Botës për klubet. Ne kemi padyshim probleme, dhe ndoshta do të luajmë vetëm me 2 mesfushorë siç bëmë herën e fundit. Ne duhet të kemi parasysh që të mos bëjmë gabimet që na kushtuan ndaj Lilës”.

Dy skuadrat kanë një histori përballjesh në Europë, të nisur në vitet 90-të. Gjithsej kanë luajtur 10 ndeshje, me nga 5 fitore secila skuadër dhe me golaverazhin 15-13 për francezët. Të vetmen sfidë me eleminim direkt e ka fituar Bajerni, pikërisht finalen e vjetshme.

Sfidanti.al