Era, lagështia, arbitri e fushë stërvitore, Klop gjen fajtorë për humbjen

E pohoi se skuadra e tij nuk meritoi më shumë sesa mori në Madrid. Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ishte i qartë se të futbollistët e kuq nuk bënë figurë të mirë në përballjen me Realin në Champions, por gjithsesi gjykon edhe se pati faktorë aspak normalë që ndikuan në humbjen 1-3. Gjermani theksoi se lojtarët e tij ishin të pafavorizuar që luajtën në një kompleks stërvitor, që kuptohet Reali e njeh shumë më mirë, dhe që nuk jep aspak përshtypjen e një stadiumi. Po ashtu, ai deklaroi se cilësia e fushës nuk ishte e mirë, ndikoi era dhe lagështia si dhe vendimi i gjyqtarit në rastin e faullit të padhënë për Sadio Manenë, ndërsa më pas erdhi goli i Realit.

Klopi akuzoi gjyqtarin pas ndeshjes se sjellja e tij ishte e pandershme, ndërsa u ngacmua duke u pyetur nëse, mos vallë mendon një përmbysje si ajo ndaj Barcelonës dy vjet më parë. “Ky rezultat mund të përmbyset, por shqetësimi im kryesor është që ne nuk luajtëm mirë, – tha ai, – sidomos në pjesën e parë ne ishim keq, dhe jo vetëm sepse pësuam golat, por sepse nuk zotëruam topin dhe nuk bëmë presion si skuadër. Pas pushimit ne ishim më mirë dhe shënuam një gol. A merituam më shumë sesa 1-3? Nuk ishim të sigurt”.

Trajneri madrilen, Zinedin Zidan, ishte edhe i lumtur, edhe i kujdesshëm. “Ne nuk kemi fituar ende asgjë, – tha ai, – gjithsesi, jemi të lumtur me atë që bëmë. Lojtarët bënë diçka të madhe duke pasur parasysh vështirësitë që po kalojmë. Shumë gjëra po ndodhin tek ne këtë sezon, por ne jemi të përgatitur. Jam i lumtur për Vinisiusin, pasi ai ka nevojë për golat. Nuk e di nëse kjo ishte ndeshja e tij më e mirë për Realin, por dy gola në çerekfinale është diçka e rëndësishme”.

Gazetat spanjolle ishin në qiellin e shtatë.  “Marka”: Vinisiusi kurorëzohet! Udhëheq vallen e Madridit ndaj Liverpulit. Ndeshje e madhe e të bardhëve, që rriten në Europe! Reali ka epërsinë pas sfidës së parë çerekfinale!” “Erdhi, pa fitoi”, ishte titulli i të përditshmes “AS” që vendos Vinisiusin në kopertinë! Dygolësh dhe lojë e jashtëzakonshme e brazilianit! Reali fshin Liverpulin në pjesën e parë dhe reziston më pas!”

Sfidanti.al