Prag Arsenal-Siti, kush do ta fitojë betejën për titull në Premier Ligë!

Për herë të parë këtë sezon do të jenë në “Emirejts”. Arsenali pret Mançester Sitin në duelin e kreut në Premier Ligën angleze, një sfidë që mund të tregojë shumë sesi janë ekuilibrat në garën për titull. Kampionët padyshim që do të jenë në provën e tyre më të vështirë, edhe pse kjo vjen në kohën e duhur. Siti po rreshton fitoret, ndërsa i eliminoi “topçinjtë” nga Kupa e Anglisë, kur dy ekipet u ndeshën në “Etihad”, edhe pse vetëm 1-0. Të besuarit e Pep Guardiolës cilësohen gjithmonë favoritë në sfida të tilla, duke pasur shumë më tepër përvojë, ndonëse londinezët kanë tejkaluar çdo parashikim këtë sezon. Erling Halandi mbetet në dyshim për shkak dëmtimi, ndonëse udhëtoi me ekipin.

Guardiola e nisi konferencën për shtyp me diçka tjetër, jo me ndeshjen. “Së pari dua t’i kërkoj falje Stiven Xherrardit për komentet e mia të gabuara dhe të panevojshme për rastin kur ai u rrëzua dhe Liverpuli humbi titullin. Këtë e kam detyrim, ndërsa për sfidën e sotme dua të them se ky është Arsenali më i fortë me të cilin jemi përballur ndonjëherë. Arsenali është ekipi më i fortë i Premier Ligës për momentin. Do të jetë një betejë”.

Londinezët e dinë se në rast humbjeje, Siti i kalon në vend të parë. Po ashtu, nuk duan të kenë ndeshjen e tretë radhazi pa fitore në Premier. Trajneri Arteta është shumë i zemëruar me vendimin e VAR-it në ndeshjen e kaluar që i hoqi ekipit të tij fitoren nga duart. “Unë do të doja që të na jepnin dy pikët që na morën. Vetëm kjo vlen. Unë e vlerësoj kërkesën e faljes së sinqertë, por kjo nuk e ndryshon faktin se ne kemi dy pikë më pak. Sa për ndeshjen, ne do të bëjmë maksimumin që ta fitojmë. Së pari, më duhet loja e mirë, sepse kështu vijnë edhe rezultatet. Ne duhet të përmirësohemi, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim”. Arsenali kryeson Premier Ligën me 51 pikë në 21 ndeshje, Siti ka 48 me një ndeshje më shumë të luajtur.

Sfidanti.al