Champions, Çelsi udhëton në Gjermani me 600 milionë euro përforcime!

Një pasuri e vërtetë në udhëtim. Europa ndoqi me vëmendje fluturimin e skuadrës së Çelsit nga Londra në Dortmund, ndërsa në aeroplan ishin yjet e marrë kohët e fundit për 600 milionë paundë. Kurrë më parë nuk ka ndodhur një gjë e tillë, dhe kjo u theksua shumë nga mediat në prag të duelit të Championsit në Gjermani. Gjithsesi, talenti i jashtëzakonshëm nuk ka ndihmuar deri tani, dhe Çelsi ka fituar vetëm 1 nga 8 ndeshjet e fundit. Kjo e tregon qartë sesa e vështirë do të jetë sonte në orën 21:00. Blutë e Londrës kanë 4 mungesa të rëndësishme, mes të cilëve edhe sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Broja, ndërsa trajneri Graham Poter bën këtë vlerësim.

“Është një moment përcaktues në Champions, me eliminim. Një kulm. Do të luhet në një stadium të mbushur plot me tifozë, në një atmosferë të jashtëzakonshme. Natyrisht, ne kemi një grup të ri tani, me shumë talent që ka ardhur së fundmi. Do të duhet të punojmë për të arritur maksimumin, por jam i kënaqur me atë që po bëjmë”.

Sa për Dortmundin, trajneri Terziç është i kënaqur me momentin. Ekipi i tij ka 6 fitore radhazi dhe ai thotë se atmofera është shumë e mirë dhe se mendimet negative janë larguar. Për më tepër, thuajse të gjithë lojtarët janë në dispozicion me përjashtim të sulmuesit Mukoko. Nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë për të mundur Çelsin, por gjithsesi, një skuadër që pretendon titullin në Bundesligë, mund ta synojë suksesin edhe në Champions. Anglezët shihen si favoritë për kualifikimin, por pritet që sonte ta kenë shumë të vështirë.

Sfidanti.al