Ish-kapiteni liverpulas, Xhemi Karrager, mendon ndryshe, por mesfushori francez duket se e ka nisur që tani Derbin e Anglisë. Të dielën në orën 17:30 do të luhet Liverpul-Mançester Junajtid në “Anfild” dhe Pol Pogba dëshiron të largojë presionin nga shokët e tij për duelin e kreut të Premier Ligës. “Ne jemi përmirësuar shumë, – tha ai për “Skaj Sportsin”, – ne vazhdojmë të përmirësohemi, por jemi ende shumë të rinj. Natyrisht, nuk mund të themi se jemi në një nivel me ata (Liverpulin) sepse ata fituan titullin sezonin e kaluar dhe vazhdojnë të fitojnë. Kur ne të fitojmë ndaj tyre dhe të fitojmë titullin, do të themi se jemi në të njëjtin nivel”.
Vetë Pogba nuk ka fituar kurrë ndaj Liverpulit dhe shpreson ta bëjë tani. Mançester Junajtidi është në formë shumë të mirë duke dalë 3 pikë mbi Liverpulin në renditje, ndonëse u eleminua nga Kupa e Ligës prej Mançester Sitit që e mundi në “Old Traford”. Ish-kapiteni i të kuqve, Karrager, theksoi ndërkaq se “ndeshja ka më shumë rëndësi për Liverpulin për vetë momentin e keq, dhe nëse Junajtid fiton në “Anfild” do të shkaktojë një tërmet në Premier Ligë”.
Sfidanti.al