Ndeshja u humb, por kualifikimi u fitua. Mançester Junajtid kaloi pengesën e quajtur “Hull” dhe tani do të luajë në “Uembli” ndaj Sauthemptonit për të diskutuar trofeun e Kupës së Ligës. Një gol i shënuar nga Pol Pogba garantoi kalimin e turit në stadiumin “Hambërsajd”, në një mbrëmje elektrizuese. Hull fitoi 2-1, por u eleminua me rezultat të përgjithshëm 2-3. Tom Hadëllstoun shënoi në pjesën e parë nga pika e penalltisë, pastaj Pol Pogba barazoi në minutën e 66-të, ndërsa më pas pati dy goditje shtylle.
Së pari nga Markos Roho për Junajtidin, dhe pastaj Umar Niase për Hullin. Ishte pikërisht Niase që shënoi golin e dytë në 84’, por vendasit nuk kishin kohë për të shënuar dy gola të tjerë. Zhoze Murinjo do të kërkojë tani trofeun e 19-të në karrierë, në finalen që do të luhet në 26 shkurt.