Po pse duhej një “bandit” për të krijuar “Ndeshjen e Shekullit”?!

Që shoqëria njerëzore nuk ka arritur ende në ndonjë shkallë përsosmërie kjo është e qartë, por që të lexosh se në Britaninë e Madhe sot, duhet një njeri i dyshuar si shumë i keq dhe shumë i rrezikshëm, për të organizuar një “Ndeshje të Shekullit”, kjo të bën të dëshpërohesh jo pak. Mediat britanike shkruajnë se njeriu që bëri të mundur marrëveshjen mes “kampeve” të Tajson Fjurit dhe Entoni Xhoshuas është një i dyshuar si i përfshirë në aktivitet kriminal.

Quhet Daniel Kinahan, është irlandez nga Dublini, dhe ishte Fjuri që e caktoi për të bërë marrëveshjen. Kinahani është një nga ndërmjetësit më të shquar të boksit profesionist, dhe tabloidi “San” (The Sun) shkruan se irlandezi është dërguar në gjyq nga Zyra Kriminale e Pasurive (Criminal Assets Bureau) i akuzuar si lideri i kartelit Kinahan, një grup i organizuar kriminal, i përfshirë në tregtinë e drogës, kontrabandën e armëve dhe vrasje nëpërmjet ekzekutimit. Gazeta “Ajrish Tajms” (Irish Times) shkruan se në 2018, një oficer i policisë spanjolle i tha një gjykate në Marbeja se Kinahani kishte urdhëruar vrasjen e një banditi rival në Kosta del Sol në 2015. Ky njeri, edhe pse nën dyshime kaq të tmerrshme, është në gjendje të vazhdojë aktivitetin e tij dhe të bëjë miliona. Jetojmë në demokraci, apo jo?

Sfidanti.al