Planet e Milanit, Montela: Donaruma të vendosë ç’do bëjë kur të rritet!

E do shumë, por nuk ia kursen ironinë. Vinçenco Montela flet si një baba me djalin e tij të vogël, kur diskuton me gazetarët për Xhixho Donarumën. Portieri që shkëlqeu si yll në moshën 16-17 vjeçare, duket se nuk është i bindur për të vazhduar me Milanin, dhe trajneri i tij e nxit të vendosë. “Donarumën e dua si djalin tim, – thotë ish-sulmuesi, – klubi po bën çmos për ta mbajtur, por duhet që të vendosë vetë ai se çfarë do të bëjë kur të rritet”. Juventusi besohet se e kërkon, por po ashtu edhe klube jashtë vendit.

Montela ndërkaq po bën planet për veten dhe për skuadrën. Ndoshta vazhdon në “San Siro” (nuk ka të pazëvendësueshëm, thotë edhe për veten), ndërsa po mendon përforcimet. “Flitet se do të vijë Keita, por kur flitet çmimi rritet menjëherë, sidomos kur është fjala për Lotiton, – komentoi ai, – ndoshta fanelën me numrin 9 nuk e merr asnjë prej Keitës, Moratës apo Kaliniçit, për momentin e ka Lapadula”. Montela theksoi se duhen “gjuajtur” talente të rinj (Keita ka plot nëpër botë), ndërsa uroi që Deulofeu të mos largohej.

Sfidanti.al