Pesë vjet më pas, Levandovski pyetet sërish: Do të luash për Realin?!

Ishte një mbrëmje e keqe për Realin e madh të Madridit në stadiumin që njihej si “Vestfalen Shtadion” apo “Signal Iduna Park”, në atë pranverë prilli të vitit 2013. Skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo (në sezonin e tretë dhe të fundit) sapo ishte mposhtur 2-4 nga Dortmundi në Champions, me të katër golat e Borusias të shënuar nga një njeri i vetëm, Robert Levandovski.

Presidenti i Realit, Florentino Perez, zbriti shkallët nga tribuna VIP për në korridoret e stadiumit, i doli përpara sulmuesit polak, dhe e pyeti: “A dëshiron të luash për Realin?” Në atë kohë, Leva nuk arriti të jepte një përgjigje për të qenë, ndoshta sepse Bajerni i Mynihut po “trokiste në derë”. Kanë kaluar 5 vjet që nga ajo kohë, por Perez sërish po i bën të njëjtën pyetje Levandovskit, tashmë 29-vjeçar, dhe tashmë jo drejtpërdrejt, por nëpërmjet agjentëve.

A do të luajë, më në fund për Madridin, polaku më i shquar që nga koha e Zbignjev Bonjekut? Besohet se ky është viti i duhur dhe Perez apo Zidan nuk janë shumë të trembur nga mosha e futbollistit, pasi Levandovski është një profesionist i stërprovuar.

Për më tepër, Bajerni do të bindej me 100 milionë euro, ndërsa kandidati tjetër i Realit, Harri Kejn, do të kushtonte të paktën 230 milionë euro. Edhe pse Kejn është më i ri, vetëm 24-25 vjeç, kaq para duken shumë, ndërsa shqetëson edhe karakteri pak i mbyllur i kapitenit të Anglisë.

Sfidanti.al