Në nivel klubi është diçka tjetër, por kur vishet fanela e kombëtares, në Argjentinë mbajnë mend më shumë Maradonën sesa Mesin. Gjithsesi, është vetë “El Pibe de Oro” që i del në krah “Pleshtit”, në prag të një tjetër sfide masive në karrierë, siç është Kupa e Botës. Diego, që e provoi në 1986 se çdo të thotë të fitosh Botërorin (dhe ta fiton thuajse vetëm), nuk ka ndërmend të bëjë asnjë kritikë për Leon, përkundrazi, kërkon të bëhet “zjarrfikës” për kritikat e të tjerëve.
“Ai është si unë, – u shpreh legjenda e kaluar për legjendën e sotme, – ai është shumë teknik, shumë i shpejtë, gjuan dhe pason shumë mirë, ka ambicie dhe vizion loje, ka një të majtë të jashtëzakonshme. Ne jemi njëlloj, pasi të dy e dashurojmë futbollin. Ja, unë jam i vdekur, por ende kam shumë dëshirë ta godas topin”.
A do ta fitojë Argjentina e Mesit këtë Kupë Bote në Rusi? Maradona e shpreson dhe e uron me gjithë zemër, ndërsa këshillon yllin 30-vjeçar. “Mesi nuk duhet të tregojë asgjë, pasi ai i ka treguar të gjitha, – u shpreh Diego, – të mos dëgjojë kritikat, por thjesht të mendojë që të dalë në fushë dhe të kënaqet. Të mos mendojë se duhet me patjetër të fitojë Ligën e Kampionëve, Kupën e Mbretit, kampionatin apo Botërorin, por vetëm të bëjë lojën e tij”.
Mesi doli me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës në 2014 në Brazil, duke u mundur 0-1 nga Gjermania pas kohës shtesë, ndërsa në 2010 kombëtarja “bardhekaltër” u mund në gjysmëfinale nga Holanda me penallti, e në 2006, u mposht në çerekfinale nga Gjermania, me Mesin gjithnjë në skuadër.
Sfidanti.al