Anglia ka gati 65 milionë për Ikardin, e 60 milionë për Boatengun

Në një krah është Çelsi, ndërsa në krahun tjetër klubet e Mançesterit. Ata po mendojnë që tani për “sulmet” e verës, ndërsa janë piketuar dy lojtarë. Blutë e Londrës, që nuk dihet se kë do të kenë trajner sezonin e ardhshëm, mendohet të nxitojnë për Mauro Ikardin, përpara sesa të hyjnë në lojë klubet e tjerë europianë.

Çelsi besohet se ka bërë ofertë prej diçka më pak se 65 milionë euro, dhe pritet që Interi ta hedhë poshtë atë. Klauzola e transferimit për kapitenin zikaltër është gati 110 milionë euro, dhe kontrata vlen deri në 2021. Edhe klube të tjerë interesohen për Ikardin, përfshi edhe Realin.

Klubet e Mançesterit ndërkaq pritet të bëjnë duel për Zherom Boatengun. Mbrojtësi kampion bote me Gjermaninë ende vlerësohet si një nga më të mirët në botë, pavarësisht dy dëmtimeve radhazi. Ai ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 4 asistë në 24 paraqitje këtë edicion, si dhe ka dalë 5 herë kampion i Gjermanisë dhe një herë kampion i Europës ne 6 vjet që luan me Bajernin.

Pep Guardiola e njeh Boatengun që kur ishte trajner i bavarezëve, ndërsa Murinjo kërkon të zgjidhë problemet e mbrojtjes. Besohet se mbrojtësi i qendrës (që mund të luajë edhe djathtas) ndiqet edhe nga Reali e Barcelona.

Sfidanti.al