Përse nuk mund të ketë paqe tek Superfuqia e futbollit, Franca?!

Duket sikur i kërkon sherret “me qiri”, sikur nuk jeton dot pa to, dhe sikur jeta në Federatë dhe në kombëtare është kthyer në një lloj “Vëllai të Madh” (alias, “Big Bradhër” – “Big Brother”). Franca, skuadra e cilësuar si më e forta e rruzullit (edhe pse u mund në finalen Botërorit nga Argjentina), po ashtu është edhe një “FC Hollivud”, fjalë që përdorej në vitet 90-të për Bajernin e Mynihut të Franc Bekenbauerit, Uli Hënesit dhe disa kohë të Oto Rehagelit.

“Lufta e fundit civile” rrezikon të shkatërrojë gjithçka pasi presidenti Noel Lë Graet bëri disa deklarata tepër të patakt ndaj legjendës së Francës, Zinedin Zidan. “Nëse do të më kishte marrë në telefon, nuk do t’ia kisha hapur, – ishin fjalët e tij, – Zidani le të shkojë në ndonjë ekip klubi. Mund të shkojë ku të dojë”. Ylli i “gjelave”, Kilian Mbape nuk ia përtoi me përgjigjen. “Zidani është Franca, ne nuk tregojmë mungesë të tillë respekti ndaj një legjende të tillë”. Me gjasë, ditët e Lë Graetit janë të numëruara, pasi Mbape shprehu mendimin e gjithë kombëtares.

Edhe legjenda të tjera franceze si Riberi, Sise apo Zhorkaef iu përgjigjën presidentit, i cili u kritikua edhe nga ministrja e sporteve e Francës, Ameli Udea Kastera, iu përgjigj shefit të Federatës. Të mos harrojmë se presidenti Makron e ftoi Karim Benzemanë në finalen e Botërorit, madje duke qenë gati që t’i dërgonte avionin presidencial, diçka që doli si qendrim i kundërt me trajnerin Deshamp (dhe Lë Graetin) që e lanë sulmuesin jashtë kombëtares.

Sfidanti.al