Tifozët e Bruklinit mund të marrin frymë të lehtësuar pasi ylli i tyre kryesor nuk ka ndonjë lëndim të rëndë. Kevin Duranti nuk ka probleme në gju apo në ligament, por vetëm një dëmtim që do ta mbajë jashtë parketeve të NBA-së për vetëm 2 javë. Në momentin që u dëmtua, basketbollisti i shkëlqyer sapo kishte kaluar legjendën Dominik Uilkins në renditjen e shënuesve më të mirë të historisë. Ai ka 26 684 pikë në karrierë në NBA, duke kaluar Uilkinsin e duke iu afruar Hakim Olaxhuonit dhe Oskar Robertsonit. Këtë sezon, kampioni i dyfishtë olimpik pritet të kalojë edhe Elvin Hajesin dhe Mozes Malounin, ndërsa në 2024 mund të kalojë edhe Karmelo Entonin dhe Shakil O’Nillin. Nuk dihet sesa kohë do të vazhdojë Duranti në këto nivele, dhe sipas të gjitha gjasave do të kalojë nivelin e 30 000 pikëve me synim t’i afrohet Uilt Çembërlenit apo Dirk Novickit, pse jo edhe Majkëll Xhordanit.
Sfidanti.al