Perez, një blerje të madhe në vitin elektoral tek Reali!

Prej gati dy vjetësh Reali nuk bën blerje të mëdha. Duket sikur diçka ka ndodhur në cirkun më të madh të transferimeve të futbollit në botë, ndonëse nuk ka asnjë lajm që presidenti Florentino Perez të jetë larguar nga posti. Gjithsesi, Perez nuk dëshiron të zhgënjejë gjatë dhe lajmet nga Madridi janë që një blerje e madhe do të ndodhë këtë verë. Pas Ronaldos, Benzemasë, Modriçit, Bejlit, Krosit apo Hames Rodrigezit tashmë është radha e Eden Hazarit.

Talenti belg, i pëlqyer shumë nga Zhoze Murinjo, pas refuzimit të vjetshëm duket se tani është gati për të lëvizur nga Londra. Çelsi është një klub i madh, që të jep një rrogë faraonike, veçse asgjë nuk mund të krahasohet me “Santiago Bernabeun”. Rrogën neto prej 8 milionë stërlinash (gati 10 milionë euro) në sezon mund ta marrë edhe në Madrid, ku do të ketë mundësi të veshë fanelën më të lakmuar të botës. Për më tepër, belgu me numrin 10 po largohet pa lënë pengje. Dy tituj kampion në Angli (bashkë me këtë të këtij viti, që besohet i fituar) nuk janë pak.

Gazeta “Marka” shkruan se ka pasur bisedime “pozitive” mes palëve, ndërsa lajmi tjetër është që Hazar po mëson spanjisht. Duket se trajneri Antonio Konte duhet të gjejë një yll tjetër për ta zëvendësuar, dhe ardhja e Hames Rodrigezit vështirë se mund ta mbushë boshësinë e tij. Sa do të jetë kostoja për Realin? Çelsi e mori Hazarin në 2012 nga Lila për 32 milionë stërlina (45 milionë euro) dhe nuk do të pranojë transferim pa 100 milionë, por për Perezin është vit eleltoral ndaj nuk do të kursehet.

Sfidanti.al