Alarmi i Hamiltonit: Kjo Formula 1 pa parakalime, e mërzitshme!

Mbreti i parakalimeve e pati shumë të vështirë. Nëse kjo i ndodh atij, do të thotë se ky lloj sporti është në telash të madh. Ljuis Hamilton ishte më shumë i mërzitur me mënyrën sesi shkoi gara në “Albert Park” të Melburnit, sesa me humbjen ndaj Sebastian Fetelit. “Formula 1 ka qenë gjithnjë e vështirë për t’u parë nga fillimi në fund, por për mendimin tim tani është më keq sesa pritej, – tha anglezi, – shpresoj të mos jetë kështu për gjithë sezonin. Unë dua duele, dua të jem rrotë më rrotë me rivalët, ndërsa tani gara përcaktohet nga strategjia dhe ndalesat për gomat”.

Hamilton, duket se ka të drejtë pasi makinat janë bërë më të gjera dhe më të ulëta, duke pasur më shumë turbullirë ajri pas tyre, gjë që e bën shumë të vështirë ndjekjen e makinave që vijnë pas.

Gjithsesi, tri herë kampioni i botës vlerësoi Ferrarin. “Thashë të vërtetën kur theksova në provat para sezonit se Ferrari ishte favorit, – u shpreh ai, – unë nuk e dija sesa i shpejtë ishte Ferrari në garë, por ajo që ndodhi në prova ishte e vërteta. Fetel dha pak a shumë kohët e mia të shpejta, me gomat e buta makina e tyre ishte fantastike”.

Sfidanti.al