Ngjarja e shëmtuar në kampionatin kombëtar në boks, që ndodhi që të shtunën, ende ka mbetur pa autor, pa fajtor, dhe madje pas asnjë lloj përpjekjeje për hetim. Sporti në Shqipëri duket se është vetëm ai i ceremonive dhe vetëm ai kur yjet e sfilitur duke u stërvitur vetëm ngrenë lart flamurin kombëtar, moment ku gjithashtu janë vetëm. Vetëm pas atij çasti plas dashuria, ndjenja, emocionet dhe atdhedashuria.
Kështu ndodhi me Luiza Gegën, me yjet e peshëngritjes si Calja e Qerimaj, me Smajlajn, Alban Beqirin dhe të tjerë medalistë në çdo sport. Gjithsesi, të shtunën e kaluar një arbitër boksi u rrah në Pallatin e Sportit në Vlorë vetëm e vetëm sepse dha një vendim për një ndeshje që nuk u pëlqeu disave prej vendasve të Flamurtarit e disa tifozëve. Skenat spektakolare me ndjekje dhe goditje si një “film aksioni” nuk u dhanë askund, dhe patën vetëm një audiencë të vogël në sallën e Pallatit të Sportit. Heronjtë që ndihmuan arbitrin ishin sportistët dhe trajnerët e ekipeve të Tiranës, Studentit, Teutës dhe Kukësit, që më pas e braktisën kampionatin e dhunuar.
Nga autoritetet “mbi kokë”, si Federata apo KOKSH-i pati vetëm premtime boshe të pambajtura dhe heshtje, madje edhe kërcënim për heqje mbështetjeje financiare për Alban Beqirin, medalistin tonë të bronztë botëror. Kur erdhi puna për “drurin” që huliganët serbë i dhanë kombëtares në Beograd, ne vrapuam në UEFA dhe në Lozanë ashtu siç duhej të ndodhte, ndërsa kur vjen puna për “drurin” që japim vetë, nuk kemi një KAS në Tiranë, edhe pse është detyrim, edhe pse nuk është e vështirë të krijohet.
Sfidanti.al