Partizani mban lart flamurin shqiptar, Laçi ndalet nga malazezët!

Trajneri Dritan Mehmeti nuk ishte plotësisht i kënaqur pas ndeshjes, pavarësisht fitores 1-0, e me gjasë kishte të drejtë. Partizani vërtet hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, por ndaj Saburtalos në Gjeorgji mundej e duhej të kishte fituar më bindshëm. Përkundër formës më të mirë fizike të gjeorgjanëve, të kuqtë patën epërsi në lojë dhe në raste, por shpërdoruan shumë dhe u mjaftuan vetëm me suksesin 1-0 me golin e Carës. “Skuka dhe Cara nuk mendojnë shumë për të shërbyer, – ishte analiza e Mehmetit, – kur janë para portës duan ta zgjidhin vetë. Janë djem shumë të mirë, me karakter, por duhet të rriten”. Trajneri theksoi se asgjë nuk ka përfunduar dhe se në “Arenën Air Albania” duhet të bëhet një tjetër paraqitje e mirë, ndërsa kërkoi pak më shumë personalitet dhe më shumë zotërim topi nga lojtarët e tij.

Më e vështirë për Laçin, që u ndal në barazim 0-0 në “Elbasan Arenë” ndaj malazezëve të Iskrës së Danilovgradit. Kurbinasit patën epërsi të plotë në sfidën e Ligës së Konferencës, duke mos e lënë kundërshtarin të bënte asnjë gjuajtje në portë, por gol nuk shënuan dot. “Kemi cilësi për të fituar në Mal të Zi, – tha trajneri Duro më pas, – arbitri na mohoi penallti të pastër”. Paraqitje e mirë edhe e Shkëndisë së Tetovës që fitoi 2-0 në Shkup ndaj Araratit armen dhe Gjilanit që triumfoi 1-0 në Prishtinë ndaj Liepajës. Deçiçi i Tuzit barazoi mirë 1-1 në Bjellorusi ndaj Dinamos së Minskut, ndërsa Llapi u mund 0-2 në Podgoricë nga Buduçnosti.

Sfidanti.al