Trajneri Masimiliano Alegri kërkoi një ditë më parë një reagim pas kësaj ngjarjeje të rëndë dhe siç e cilësoi ai “të papritur”. Me dy kampionë bote, tre kampionë Europe dhe shumë emra të mëdhenj në ekip, u prit që Juventusi të tregonte veten si përgjigje për dënimin e rëndë që mori klubi (jo skuadra) duke iu hequr 15 pikë në renditje. Mrekullia nuk ndodhi dhe ndaj Atalantës mezi u shpëtua të paktën barazimi 3-3. Një përballje e vështirë, me miqtë që patën më shumë zotërim topi, edhe pse “Zonja e Vjetër” bëri pak më shumë gjuajtje (14-10 drejt portës, 8-6 në kuadrat). Habia më e madhe ishte se Juvja nuk mbajti dot epërsinë 2-0 pas golave të Di Marisë dhe Milikut, me bergamaskët që përmbysën në 2-3 (Lokman, Mehle, Lokman). Danilo barazoi shpejt, por gol tjetër nuk pati. Torinezët kanë vetëm 23 pikë (në pritje të gjyqit të fundit), ndërsa Atalanta është në 35, pranë zonës Champions.
Sfidanti.al