Nuk është ende i madh, por Milani nuk vdes kurrë!

U duk i vdekur dhe i varrosur në stadiumin “Olimpik” të Torinos. Skuadra vendase “granata” kryesoi 2-0 në pjesën e parë ndaj Milanit, me Andrea Belotin, që nuk di të ndalet, dhe me Marko Benasin. Përballja, gjithsesi, u duk se do të shkonte “ters” kur Adem Ljajiç humbi 11-metërshin për skuadrën e trajnerit Sinisha Mihajloviç. Të gjitha këto ndodhën në vetëm 32 minuta, veçse kisht edhe një orë lojë të mbetur dhe ndryshimi ishte dramatik.

Milani i Vinçenco Montelës, i aftë të mundë dy herë Juventusin, pati karakterin e fortë që të mos e pranonte humbjen. Andrea Bertolaçi shkurtoi diferencën në 55’ dhe vetëm pesë minuta më vonë, Karlos Baka tregoi edhe një herë sesa e rëndësishme është përvoja dhe nuhatja e tij për gol. Sulmuesi kolumbian barazoi dhe Montela as nuk mendon se mund të mbetet pa të.

Ndeshja ishte spektakolare dhe u mbyll me kartonin e kuq të  Romanjolit të Milanit, në 89’. Pasi e eleminoi nga Kupa, skuadra milaneze dha edhe një provë tjetër force ndaj Torinos. Gjithsesi, renditja e Serisë A e tregon plotësisht sesa pak përvojë dhe sesa pak alternativa ka formacioni kuqezi. Milani ka 37 pikë, plot 8 pikë prapa Juventusit kryesues, ndërsa shanset për zonën Champions mbeten sepse ekipi i Montelës ka një ndeshje më pak sesa Roma, Napoli dhe Lacio.