“Njerëzit vijnë në stadium për të”, Mesi mahnit mediat dhe trajnerët në Francë!

Nuk ishte i vetmi që shkëlqeu, pasi Kilian Mbape shënoi dy gola, por gjithsesi e gjithë Europa u mor me të. Lionel Mesi ishte kryefjala e opinionit, dhe e gazetave pasi u shpall sërish lojtari më i mirë i ndeshjes, që Paris SG e fitoi 3-0 në fushën e Azhasios. Mediat franceze nuk i kursyen lavdërimet. “Punë artistësh, – titullon “L’Ekipi”, – Mbape me 2 gola e 1 asist, dhe Mesi me 1 gol e dy asistë ishin vendimtarë për Paris SG!” “Në mungesë të Nejmarit, flet talenti i Mesit dhe Mbapesë, – shkruan “Lë Parizien, – dy yjet janë edhe pasues, edhe ekzekutues në fitore!”

“Njerëzit vijnë në stadium për të parë Leon, – tha tekniku i PSG-së, Kristof Galtie, – ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohëve. Ai ka një cilësi të veçantë që dëshiron të luajë bashkë me shokët, është shumë altruist, dhe ishte i jashtëzakonshëm në golin e dytë”.

“Ajo që pamë sot nga Mesi është e pabesueshme, – thotë lojtari vendas, Tomas Mangani, – ai është më i miri në botë me distancë. Kur e sheh të bëjë këto gjëra në këtë moshë, kupton se është më i miri në histori”.

Nnga 17 ndeshje këtë edicion, përfshi edhe ato për Argjentinën, 35-vjeçari ka dalë 14 herë si lojtari më i mirë në fushë, ndërsa ka 13 gola e 10 asistë, në çdo konkurrim.

Sfidanti.al