Kryeministri Edi Rama e nderoi trajnerin brazilian Sylvinho me “Shqiponjën e Artë”, një titull shumë prestigjoz për kontributin e brazilianit në këto eleminatore duke e kualifikuar Shqipërinë direkt e në europian por pas këtij gjesti, me siguri në selinë e FSHF nuk kanë hapur shampanjën. Arseyeja mund të jetë e thjeshtë, këtë herë Armand Duka nuk ishte protagonist si në posterin zyrtar pas kualifikimit ku ai me mjeshtëri tregoi aftësitë e tij në “fotoshop” duke e zhvendosur Sylvinho-n disa vende më poshtë sepse në këndvështrimin e tij, është ai arkitekti i kualifikimit. Pse u kursye kreu i qeverisë? Vallë i mbaruan shqiponjat? A nuk mund ta kishte nxjerrë nga sirtari edhe një për arkitektin e golave spektakolarë, asisteve apo mbrojtjes heroike?
“Ju falënderoj juve dhe të gjithë shqiptarëve. Marr këtë çmim dhe për mua është një nder i madh“, deklaroi Sylvinho i emocionuar në marrjen e trofeut modest në përmasa por të rëndë në vlera. Histori suksesi sigurisht por ndryshe nga Duka, trajneri Sylvinho është mësuar të shpërndajë gjithmonë merita aq sa edhe trofeun kërkoi ta dorëzonte te Hamdi Salihi dhe ndihmësit. Për brazilianin, suksesi është i shqptarëve ndërsa për FSHF-në, meritë e liderit që në mandatin e tij të pestë na kualifikoi…sigurisht me djersën e kuqezinjve që talentin në këmbët e tyre e kanë me shumicë.
Nga Pirro Bardhyli