Merkatoja me parametra zero është një specialitet i dyshes së Interit, Marotta-Ausilio, të cilët kanë piketuar mbrojtësin portugez Thiago Djalo. Ky i fundit po kalon muajt e fundit te francezët e Lille, me të cilët ka kontratë deri në fund të sezonit dhe i ka njoftuar se nuk do të rinovojë bashkëpunimin. Në të njëjtën kohë, 23-vjeçari është duke u rikuperuar nga një dëmtim i rëndë, i pësuar në fund të vitit të kaluar, megjithatë kjo nuk i ka stepur drejtuesit zikaltër që të nxitojnë t’i marrin firmën në janar, për ta afruar më pas verën e ardhshme në Milano. Ausilio ka nisur kontaktet paraprake me mbrojtësin, të cilit i ka ofruar një kontratë 5-vjeçare, me pagë 2.5 milionë euro në sezon, e cila do të vijë në rritje, teksa mbrojtësi pretendon edhe një bonus firme prej 4-5 milionë eurosh. Në kampin zikaltër duken të prirur t’i plotësojnë pretendimet për ta transferuar në Milano, në mënyrë që të kompletojnë repartin e prapavijës për sezonin e ardhshëm, ku Francesco Acerbi me 36 vite mbi supe vështirë se do ët mund të ofrojë garancinë e të luajturit të kaq shumë ndeshjeve brenda një sezoni.
sfidanti.al