Trajneri i Mançester Sitit dhe presidenti i Ligës Spanjolle të Futbollit janë përfshirë në një debat publik, i cili ka pasur disa “breshëri”. Pep Guardiola dhe Havier Tebas kanë këndvështrime të ndryshme për futbollin, veçse jo për atë teknik dhe taktik, por për mënyrën e menaxhimit financiar. Tebas ka kritikuar klubet e mëdhenj, ku bën pjesë edhe Siti, se mendojnë vetëm për veten e tyre, se po krijojnë monopol në futboll, dhe si rrjedhojë e kësaj erdhi projekti i Superligës Europiane.
Guardiolës nuk i kanë pëlqyer sulmet ndaj klubit të tij dhe lëshoi një kritikë publike në rrjetet sociale. “Ç’të keqe ka që Siti, Junajtid apo Çelsi investojnë, – theksoi ai, – ne duam të kemi një produkt sa më të mirë dhe tifozët do ta pëlqejnë atë. Ne mendojmë së pari për tifozët”. Tebasi u përgjigj duke shkruar se “Pepi di gjithçka për Premierin, dakord, por nuk e njeh mirë makroekonominë e futbollit, efektin e klubeve që janë në inflacion, rrogat, demografinë, depërtimin e televizioneve me pagesë, të Kinës. Nuk e di sesa trofe do të kishte fituar Pepi nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e dopingut financiar?”
Sfidanti.al