Ngritja e yllit të Kontes koincidon me perëndimin e Vengerit!

Kur Antonio Konte erdhi në Premier Ligë, pakkush mendonte se ai do ta “pushtonte me sulmin e parë” kampionatin më të pasur dhe më të shikuar në botë. Italiani kishte fituar me Juventusin, dhe kishte qenë tepër i respektuar me Italinë, por në Angli modestia nuk gjen shumë vend, ndaj edhe ai duhej ta tregonte veten sërish.

Nuk e pati aspak problem, duke dominuar edhe mbi hijen e madhe të Zhoze Murinjos, tri herë kampion me Çelsin. Konte arriti një tjetër fitore me skuadrën e tij, duke gjetur dy golshënues të tjerë përveç Kostës, Pedros apo Hazarit. Uillian dhe Geri Kejhill shënuan në fushën e Stouk Sitit, një tjetër skuadër tipike angleze, shumë e vështirë për t’u vënë poshtë. Vendasit barazuan përkohësisht me anë të Xhonatan Uoltersit me penallti, por nuk morën dot as pikën.

Çelsi ka 69 pikë pas 28 ndeshjeve, 13 më shumë sesa Totenhemi që ka një ndeshje më pak, ndërsa në dispozicion janë edhe 30 pikë dhe titulli kampion duket shumë pranë për blutë e Londrës.

Nëse një yll po ngjitet lart në qiellin e Premier Ligës, një tjetër po perëndon gjithnjë e më poshtë. Arsen Venger, dikur i cilësuar si vetëm pak më poshtë se Sër Aleks Ferguson, po gremiset pa u ndalur. Nëse të mund dhe të eleminon Bajerni është një gjë, nëse të mund Uest Bromi diçka tjetër. Një disfatë 1-3 dhe Arsenali rrezikon seriozisht kualifikimin për në Champions. Gjithsesi, djemtë e trajnerit Toni Pulis nuk e tepruan aq sa Bajerni, nuk shënuan 5, por vetëm 3 gola.

Sfidanti.alvenger