Nuk është e lehtë për një vend, qoftë edhe të madh, që të sfidojë fuqitë tradicionale në çdo lloj fushe të jetës. Futbolli nuk bën përjashtim, por Premier Liga kineze ka ndërmend të thyejë çdo rekord, mjaft që të afrohet me kampionatet më të fortë të Europës, si La Liga, Premier Liga angleze, Seria A apo Bundesliga. Pjer-Emerik Obamejang duket se do ta bëjë rrugën drejt Pekinit vetëm me biletë vajtjeje, dhe do të nënshkruajë një kontratë me rrogë prej 600 000 eurosh në javë, që do të thotë 30 milionë euro në sezon.
Një pagesë që nuk do ta merrte në asnjë klub europian, pasi vetëm Barcelona apo Reali mund t’i lejojnë vetes të paguajnë mbi këto nivele, dhe vetëm për superyjet Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo. Pas Obamejangut që besohet se do të shkojë në Kinë në janar, atë rrugë ndoshta mund ta marrë edhe Diego Kosta, ndërsa gjithçka pritet të bëhet “autostradë” në të ardhmen.
Kina po shfrytëzon atë parim që kanë shfrytëzuar kompanitë gjigande shumëkombëshe në konkurrencën me rivalë më të vegjël. Një treg i madh, një potencial i madh blerjeje dhe shitjeje, aftësi për të krijuar një realitet tjetër, me fitim më të madh thjesht për shkak të efektit të “shumicës”. E gjitha kjo, pritet që t’i dëmtojë ligat europiane në një të ardhme jo shumë të largët. Me kapacitetin e jashtëzakonshëm të një vendi me 1.3 miliardë banorë, Kina po bën me futbollin atë që nisi të bënte në vitet 80-të me zhvillimin industrial, ndërsa sot ka arritur një sukses të padyshimtë.
Sfidanti.al