Ai është cilësuar si i përzgjedhuri, si i parashikuari për të qenë pasardhësi i legjendave. Në “Kamp Nou” ka ende nostalgji për Lionel Mesin, ndërsa më herët kanë luajtur Johan Krujf, Ronaldinjo, Ksavi e Iniesta, por ndoshta tani e ardhmja mund t’i përkasë “djaloshit të mrekullive” Ansu Fati. Sulmuesi 18-vjeçar nënshkroi kontratën e re me Barcelonën me vlerë 5-vjeçare, ndërsa përfaqësuesit e tij pranuan propozimin e klubit për një klauzolë 1 miliardë euro për transferimin. Më herët, Fatiut iu dha fanela me numrin 10 e Mesit, një përgjegjësi dhe një nder i madh. “Kam pasur oferta nga Anglia, – tha adoleshenti, – por e kisha ndarë mendjen që të qendroja këtu”. Barça shpreson që me yje të rinj si Fati, Gavi apo Pedri të ndërtojë një të ardhme më të mirë sesa e tanishmja që është një gërmadhë. Klauzola 1 miliardë euroshe është e dyta në “Kamp Nou” pas asaj të Pedrit, dhe nëse teorikisht Barcelona do t’i transferonte dy yjet me çmimin e përcaktuar në kontratë, jo vetëm do të lante borxhet prej mbi 1 miliardë eurosh, por edhe do të kishte qindra milionë euro fitim.
Sfidanti.al