Superyjet e epokës sonë zakonisht jetojnë në atë që cilësohet si “kulla e fildishtë” apo si një “kafaz i shkëlqyer prej xhami”, dhe të cilët tifozët i shohin vetëm në distancë mjaftueshmërisht të madhe për të mos i ndjerë nga pranë. Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Zllatan Ibrahimoviç e gjithkush tjetër kanë një jetë përrallore, që bën një kontrast të tmerrshëm dhe të shëmtuar me publikun që (ende) i adhuron, me gjasë sepse tek ata sheh ëndrrën me sy hapur për të shmangur rreziqet e mëdha të kësaj jete, dhe merr shpresë se dikur edhe për ata mund të ketë ditë të bardha e të sigurta.
Këta tifozë të verbuar nga lavdia dhe pasuria e yjeve të futbollit shpesh bëjnë veprime në dukje iracionale, edhe pse një analizë e thjeshtë i nxjerr krejt normale. Një tifoz i Mançester Junajtidit kaloi gardhin e sigurisë në “Old Traford” dhe deshi t’i rrëmbente Kristiano Ronaldos fanelën nga trupi. Tifozi nuk ia kërkoi bluzën CR7-ës, por brutalisht deshi t’ia merrte, ashtu si brutalisht përplasen në veshët dhe sytë e tij reklamat e zhurmshme dhe plot drita për portugezin. Pamjet dhe fotot tregojnë se Kristiano u shqetësua dhe u bezdis shumë, ndërsa rojet e sigurisë mezi e larguan djaloshin. E qartë, që CR7 do të shqetësohej sepse ai ka 18 vjet që nuk e ka provuar ndoshta çdo të thotë të jetosh pranë tifozëve.
Sfidanti.al