Nëse në prag të sezonit dukej Atletiko e Madridit si kandidati kryesor për titullin në Spanjë, pa kaluar 5-6 ndeshje “parashikimi i motit” ndryshon. Në krye të pretendimeve ka dalë vrullshëm Reali i Karlo Ançelotit, trajnerit që gjithnjë duket se plaket dhe se e zë gjumi, por që bëhet spektakolar në stolin e Madridit, ashtu siç ishte në atë të Milanit. Fitorja 6-1 ndaj Majorkës në “Bernabeu” e tregoi hapur formën e madhe të Realit, të paktën përsa i përket La Ligës, ndërsa kënaqësia ishte e madhe për 3 golat e Marko Asensios, lojtarit më të kritikuar të ekipit. Gjithsesi, analistët theksuan se Asensio duhet të luajë në qendër, sepse në krah loja e tij humbet, por kjo nuk është e lehtë në një ekip të tillë. Po ashtu, Benzema vazhdon nivelin e tij të lartë, ndërsa Ançeloti ka gjetur më në fund një zgjidhje që i pazëvendësueshmi Kasemiro, të zëvendësohet. Këtë frymëmarrje do t’ia japë dyshja në qendër Kamavigna-Valverde. Reali kryeson kampionatin me 16 pikë në 6 ndeshje (5 fitore, 1 barazim), duke pasur 21 gola të shënuar ndaj vetëm 9 të Atletikos që ka 14 pikë.
Sfidanti.al