Pak ditë më parë, ish-trajneri i tij Antonio Konte deklaroi se lojtari maroken i krahut ishte përmirësuar jashtëzakonisht, ishte bërë një nga më të mirët në botë në pozicionin e tij dhe nuk do të ishte habi që Reali i Madridit ta kthente në ekip. Flasim prë Ashraf Hakimin, që shkëlqeu fort në fitoren e fundit të Paris SG në ligën franceze, në mungesë të Lionel Mesit. Lojtari i krahut të djathtë, që mund të luajë edhe mbrojtës i djathtë, u bë heroi i sfidës në fushën e Metcit duke shënuar të dy golat, ndonëse në fushë si titullarë ishin tre sulmuesit, Nejmar, Kilian Mbape dhe Mauro Ikardi. Jo vetëm kaq, por gjatë ndeshjes u aktivizuan nga trajneri Poçetino edhe lojtarët e tjerë ofensivë si Di Maria dhe Draksler, por golat ishin të Hakimit. Ai shënoi në 5’ për 1-0, dhe pastaj në minutën e 5-të shtesë (95’) për 2-1, në një fitore tepër të vështirë dhe të rëndësishme në një sezon ku konkurrimi duket me Marsejën. Hakimi ishte pjesë e akademisë së Realit nga viti 2006 deri në 2016, pastaj luajti për Dortmundin si i huazuar, dhe kartoni iu shit Interit për rreth 40 milionë euro, ndërsa Paris SG e mori kartonin për 60-71 milionë euro.
Sfidanti.al