Fitorja e Empolit në Kaljari, kur 3 shqiptarë hyjnë si zëvendësues

Kishte pasur ndeshje edhe në fundjavë, ndaj edhe formacioni duhej të ndryshohej. Kështu ndodhi edhe tek Empoli dhe 3 futbollistë shqiptarë u lanë në stol në ndeshjen e mbrëmshme në fushën e Kaljarit. Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli, që të dy të kombëtares kuqezi, si dhe Kristjan Asllani i Shqipërisë U21, pritën rastin për të luajtur në kryeqendrën e ishullit të Sardenjës. Momenti u erdhi dhe i pari që hyri në fushë ishte mbrojtësi Ismajli në minutën e 64-të, në të njëjtën kohë që hyri Leo Shtulac, autori i golit të dytë. Në minutën e 83-të hyri regjisori Bajrami bashkë me mesfushorin me tipare mbrojtëse, Asllani. Ky i fundit, një djalë i lindur në Elbasan dhe që ka luajtur për ekipin U17 të Empolit që në vitin 2017 kur ishte 15 vjeç. Sot ai është 19 dhe ka luajtur ndeshjen e parë për Shpresat. Duke u kthyer tek ndeshja, Empoli fitoi 2-0 me gola të shënuar nga Federiko Di Françesko në 29’ dhe slloveni Leo Shtulac në 69’. Me këtë suksesi, Empoli ka 6 pikë në 5 ndeshje duke qenë në vendin e 11-të në Serinë A.

Sfidanti.al