Djemtë e rinj duhet të mësojnë dhe duket se kanë ende rrugë të gjatë për të bërë. Mançester Junajtidi luajti me shumë ndryshime në formacion në raundin e tretë të Kupës së Ligës angleze ndaj Uest Hemit, dhe pagoi shtrenjtë këtë eksperiment të trajnerit Solskjer. Norvegjezi ndoshta nuk pati çfarë të bënte në një sezon tepër të ngarkuar me Premier Ligën dhe Championsin si synime kryesore, ndërsa disa nga lojtarët që u desh të tregonin veten, nuk e bënë. Mbi të gjithë Xhejdën Sanço dhe Doni Van de Bek. Uest Hemi mori hak shpejt pas humbjes 1-2 të pësuar në shtëpi nga “djajtë e kuq” në kampionat, një hakmarrje pra që nuk ishte “e ftohtë”, por “e nxehtë” me fitoren 1-0.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Manuel Lanzini në 9’. Kristiano Ronaldo nuk u konsumua për këtë ndeshje, pasi ka sfida të tjera për të luajtur, dhe Junajtidi humbi një mundësi për trofe. Solskjer shpreson që ky sezon të sjellë më në fund një titull, mbi të gjithë pëlqehet Premier Liga ndërsa Championsi duket i vështirë, por për momentin “gjuetia e parë” doli “huq”. Nuk bëri punë as aktivizimi i Bruno Fernandesit 18 minuta para fundit, ndërsa të kritikuar nga mediat do të jenë edhe Bejli, Lindelof, Matiç, Mata, Grinvud, Lingard apo Marsial.
Sfidanti.al