Sulmuesi 22-vjeçar mbetet në qendër të historive mediatike edhe tani në fillim të korrikut. Kilian Mbape prodhon lajme, edhe kur është tek Franca, edhe kur bashkohet me Paris SG, edhe kur është me pushime apo kur dëshiron të shkojë tek Reali. Kjo gjë nuk është domosdoshmërisht e mirë, siç u kuptua edhe gjatë Europianit, ndërsa në Francë po flasin për një “Nejmarizim” të Mbapesë. Sulmuesi, kampion i botës, është kthyer në një problem duke qenë tepër i përqëndruar tek vetja, pak a shumë si ylli brazilian, ndërsa të tillë si Mesi apo Ronaldo pavarësisht protagonizmit kanë qenë gjithnjë lojtarë skuadre.
Mbape ndoshta ishte një nga shkaqet e eleminimit të Francës, pasi nisi sherret deri publike me Olivie Zhirunë, duke kërkuar një konferencë shtypi për të sqaruar situatën (punët e “shtëpisë” në “pazar”). Prej javësh, ai ishte në relata të këqija me Antuan Grizmanin dhe gazetat franceze shkruajnë se kjo ndodhi për shkak të xhelozisë së Mbapesë për rëndësinë e Grizmanit në skemat e trajnerit Deshamp. Një konflikt, thuhet se, ka ndodhur për kthimin e Karim Benzemasë në ekip, pasi Grizman nuk e donte, ndërsa Mbape ishte në favor. Në këtë rast, besohet se 22-vjeçari pati të drejtë.
Sfidanti.al