Atletja sensacionale del pozitive, rrezikon Olimpiadën: Edhe unë njeri jam!

Emri i saj është Shasarri Riçardson (Sha’Carri Richardson), i shkruar sipas traditës së kohëve të fundit në SHBA, sidomos nga njerëzit publikë zezakë apo me origjinë të përzier. Sprintierja më e mirë amerikane e kohëve të fundit me shumë gjasë do të skualifikohet e nuk do të jetë në Lojrat Olimpike në Tokio sepse doli pozitive për përdorim kanabisi. “Edhe unë njeri jam”, ishte komenti i saj i shkurtër në Instagram, për të justifikuar këtë që ndodhi dhe e vërtetë është që një pjesë e mirë e rinisë në Perëndim përdor hashash.

Do të ketë një analizë të dytë, dhe nëse konfirmohet rezultati i parë, Riçardson do t’i thotë “lamtumirë” Tokios pa arritur të shkojë dot aty. Ajo vrapoi 100 metrat në garën kualifikuese amerikane për në Tokio për 10”64 ndonëse koha nuk u njoh për shkak të erës. Gjithashtu, më herët këtë vit, ajo ka vrapuar 100 metrat për 10”72, koha më e shpejtë për një amerikane në 10 vjet. Ajo është krahasuar me atleten e madhe amerikane, Florens Xhonson që fitoi 3 medalje ari në Lojrat Olimpike në Seul në 1988, dhe që mban ende rekordet në 100 e 200 metra.

Sfidanti.al