Në Spanjë janë të sigurtë: Nejmari do të kalojë te Reali i Madridit

Ditët e fundit, mediume të ndryshëm publikuan lajmin se PSZH-ja është vetëm një stacion kalimtar i Nejmarit dhe se stacioni tjetër i radhës së tij do të jetë Reali i Madridit. Lajmet më të fundit lidhur më ketë i konfirmoi edhe gazeta “Don Balon” që shkon edhe më tej, duke vënë në dukje se, madje, dihet edhe koha se kur Nejmari nga Parisi do të shpëngulet për në “Santiago Bernabe”. Sipas gazetës në fjalë, i ati i Nejmarit që është edhe agjent i tij, është takuar, kohët e fundit, me presidentin e Realit, Florentino Perez, mes të cilëve është diskutuar për të ardhmen e futbollistit brazilian. Nejmari dhe babai i tij i kanë të qarta synimet e tyre; nëse ai te PSZH-ja, gjatë dy sezoneve, nuk arrin që të fitojë “Topin e artë” dhe Ligën e Kampioneve, atëherë, Nejmari do të kalojë te Reali.

Kështu që i bie që Nejmari të transferohet te Reali i Madridit në sezonin 2019/20 që, në fakt, është edhe sezoni i fundit i Kristiano Ronaldos në bazë të kontratës. Duket se Nejmari do të vijë në “Santiago Bernabe” që të zëvendësojë Ronaldon dhe do të bëhet lider i ekipit “mbretëror”. Duhet të presim që të shohim, nëse ne do të jemi dëshmitarë të një “tradhtie” të re të Nejmarit.

Sfidanti.al