Në Bavari po bëjnë llogaritë sesi Bajerni mund ta fitojë Championsin

Mediat në Mynih tregohen modeste, dhe pranojnë se skuadra e trajnerit Julian Nagelsman nuk është favorite për t’ia dalë këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Bajerni nuk ka bindur, dhe skuadra si Mançester Siti, Reali, Çelsi apo Liverpuli janë shfaqur më të forta, të paktën gjatë vitit 2022. Gjithsesi, mediat bavareze theksojnë se ekipi i tyre i zemrës ka një shans për të fituar “kupën me veshë”. Ata rreshtojnë 5 arsye ose kushte që mund t’ia japin Championsin, Bajernit. Favori i parë është që shorti i çerekfinaleve vendosi Realin, Man. Sitin, Çelsin dhe Atletikon në një anë të rrugës për në finale, ndërsa në krahun e Bajernit është vetëm Liverpuli. Po ashtu, duhet që Alfonso Dejvisi të kthehet sa më shpejt nga dëmtimi, të paktën për gjysmëfinalen. Së treti, duhet që trajneri Nagelsman të mos bëjë eksperimente, siç ka bërë deri tani. Së katërti, duhet që ekipi të mos ketë probleme të tjera me dëmtimet apo Kovidin. Së fundmi, shpresohet që Mançester Siti të dalë në finale, pasi cilësohet më pak i rrezikshëm ngaqë nuk ka sulmues të mirëfilltë, dhe mbrojtjen e ka më të thyeshme, ndërsa Guardiola cilësohet trajner që nuk e mban presionin.

Sfidanti.al