“Sa herë që merrja frymë, ndjeja sikur kisha një gjilpërë brenda në mushkëri”. Kështu tha Rafael Nadali pas humbjes në finalen e Indian Uellsit ndaj Tejlër Fritzit (3-6, 5-7). Tenisti legjendar spanjoll ka mesa duket një tjetër dëmtim, natyra e saktë e të cilit ende nuk është përcaktuar. Është e qartë që është një problem frymëmarrjeje, dhe Rafa deklaroi se kjo e pengoi shumë gjatë finales duke ia hequr përqëndrimin. Veterani 35-vjeçar u këshillua me mjekun gjatë finales, dhe mori ndihmën që mund të merrte në ato kushte, ndonëse nuk e shmangu dot humbjen. Ai do të vizitohet në Spanjë për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, por mediat iberike kanë nisur të tremben se tenisti i tyre më i mirë mund të rrezikojë sezonin në dhé të ngjeshur. Grand Slemi më i rëndësishëm në dhé të ngjeshur, “Rolan Garosi” i Parisit nis në 22 maj. Nadali ka kohë që ta marrë veten deri në atë kohë, por varet se kur mund të jetë gati dhe sesa përgatitje mund të bëjë.
Sfidanti.al