Në Ballkan s’ka si ne, Kroacia, Serbia e Maqedonia fitojnë me trajnerët e tyre!

Në rajon jemi padyshim më të veçantët. Kombëtarja e Shqipërisë prej 20 viteve drejtohet nga trajnerë të huaj, dhe kjo histori pritet të vazhdojë deri në fund të eliminatoreve të Europianit. Linja italiane e De Biazit, Panuçit dhe Edi Rejës do të vazhdohet nga braziliani Silvinjo, ndërsa nëse hedhim një sy në vendet fqinje, shohim se realiteti është krejt i ndryshëm. Në stolin e Kroacisë prej vitesh është Zllatko Daliç, që arriti finalen e Botërorit në 2018 dhe fitoi medaljen e bronzit, pra vendin e tretë, në Kupën e Botës pak javë më parë në Katar. Serbia po ashtu ka në stol një specialist vendas, ish-yllin e futbollit, Dragan Stojkoviç, me të cilin arriti të kualifikohej në finalet e Botërorit së fundmi, ndonëse nuk e kaloi dot fazën e grupeve, eliminuar sërish nga Zvicra e Xhakës e Shaqirit.

Bie në sy sidomos fakti se dy Daliç e Stojkoviç marrin paga më modeste sesa kjo që pritet të ketë Silvinjo tek Shqipëria. Mediat fqinje tregojnë se kroati merr 550 000 euro në vit dhe serbi 650 000, ndonëse ka burime të tjera mediatike që tregojnë se Daliç i ka fitimet deri në 1.5 milionë euro në një edicion. Maqedonia e Veriut po ashtu ka trajner vendas, 51-vjeçarin Blagoja Milevski. Në udhëheqjen e tij, skuadra nga Shkupi shkaktoi të papriturën më të madhe të plej ofit të Botërorit duke eliminuar kampionen e Europës, Italinë, madje brenda në Palermo.

Mali i Zi ka trajner malazezin Miodrag Raduloviç, 55 vjeç. Ai ka qenë trajner i përfaqësueses U21 dhe olimpike së Serbisë e Malit të Zi në vitet 2004-2006, ka punuar me disa ekipe në disa shtese dhe ka drejtuar kombëtaret modeste të Libanit e Mijanmarit. Ndërkaq, Bosnja dhe Hercegovina caktoi këto ditë trajnerin e ri, i cili është pikërisht boshnjak, i njohuri Faruk Haxhibegiç. Përpara tij, në Sarajevë ishte një teknik i huaj, veçse sërish ballkanas, bullgari Ivajlo Petev. Vetëm Kosova na ngjan, pasi prej disa vitesh drejtohet nga të huaj. Ish-ylli i Francës, Alen Zhires, ka marrë stafetën nga zvicerani Bernar Shaland, ndërsa për pak ndeshje ekipin e drejtoi slloveni Primozh Gliha.

Sfidanti.al