Në Angli bëjnë drejtësi për Levandovskin ndaj Leo Mesit!

E vendosi një nga gazetat serioze të Britanisë së Madhe, “Gardian” (The Guardian). Për lexuesit e saj, Robert Levandovski është futbollisti më i mirë i vitit 2021, madje me diferencë të madhe. Ylli polak i Bajernit fitoi me 53 për qind të votave, duke e lënë tepër prapa Mesin me vetëm 17 për qind. Diçka domethënëse që krijon një kontrast të madh me votimin e “Frans Futbollit” që nxorri fitues argjentinasin me një diferencë të vogël ndaj Levandovskit.

Sipas “Gardianit”, Leva ka statistika të nivelit të Mesit dhe të Ronaldos, ndërsa jo më kot theu rekordet e Gerd Mylerit me golat e një sezoni në Bundesligë dhe me golat në kampionat në një vit kalendarik. Në moshën 33-vjeçare ai vazhdon të bëhet gjithnjë e më i mirë, dhe rezultati në të përditshmen angleze ishte një vendosje e drejtësisë në vend pas humbjes në garën e Topit të Artë. Shpresohet që ai të vazhdojë me këto ritme, të synojë rekordin e madh të Gerd Mylerit në Bundesligë me 365 gola gjithsej (polaku ka 296), dhe të jetë i treti lojtar që kalon shifrën 100 të rrjetave në historinë e Championsit.

Sfidanti.al