Edi Reja, “shkes” për Marash Kumbullën tek Napoli: E njeh mirë Serinë A!

Sezonin e kaluar ishte krejt tjetër. Nën drejtimin e trajnerit Paulo Fonseka, Marash Kumbulla ishte vazhdinmisht në formacionin e Romës, duke qenë protagonist në Itali e në Europë, por ato kohë janë larg. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është kthyer në një lojtar periferik për trajnerin Zhoze Murinjo, duke u konsideruar vetëm i denjë për stol. Futbollisti 21-vjeçar është aktivizuar shumë pak, ndërsa mori kritika të forta disa javë më parë kur Roma u mund në Ligën e Konferencës, 1-6 në fushën e Bodo Glimtit në Norvegji.

Për ta ndihmuar Kumbullën po mendon trajneri i kombëtares, Edi Reja. Italiani veteran i ka këshilluar Napolit që të marrë pikërisht qendërmbrojtësin kuqezi, duke e sponsorizuar si njeriun e duhur. Sipas mediave italiane, Reja i sugjeron Kumbullën presidentit De Laurentis dhe trajnerit Luçiano Spaleti, duke e konsideruar më të fortë sesa hungarezin Salai, që jepet si alternativë. Në moshën 21-vjeçare, shqiptari cilësohet me përvojën e duhur në Serinë A, duke shkëlqyer në 2019-2020 në radhët e Veronës, e duke pasur interesimin e klubeve të rëndësishëm si Interi, Juventusi, Lacio apo Roma.

Napoli, që ka nevojë për përforcim të skuadrës duke qenë në pretendime për titullin, ka përvojë pozitive me shqiptarët, pasi aty ka luajtur me sukses Elseid Hysaj. Nëse Kumbulla do të kalojë në stadiumin “Maradona”, aty do të gjejë mbrojtësin e Kosovës, Amir Rrahmani, që është titullar absolut i ekipit të trajnerit Spaleti.

Sfidanti.al