Në basketbollin amerikan ka shumë lloj rekordesh dhe renditjes për elementë apo ditë të caktuara. Njëri prej tyre është ai për më shumë pikë të shënuara në ndeshjet e mbrëmjes së Krishtlindjeve, kur në NBA gjithmonë luhet. Mbrëmjen e fundit, Lebron Xhejmsi kaloi Kobi Brajantin si shënuesi më i mirë i kësaj dite ndërsa realizoi 39 pikë, por pësoi një tjetër humbje. “Mbreti” i basketbollit ishte i shkëlqyer në përballjen e Lejkërsave në shtëpi ndaj Bruklin Netsave, ekipit më të mirë të Konferencës Lindore. Lebroni pati edhe 9 topa në tabela, 7 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndërsa ka luajtur 16 ndeshje të tilla, një rekord që e ndan me Brajantin.
Gjithsesi, Xhejmsi doli i humbur nga Arena në Los Anxhelos, pasi Bruklini fitoi 122-115, udhëhequr nga Xhejms Hardeni. “Mjekra” shënoi 36 pikë dhe pati një tripëll dabëll me 10 topa në tabela e 10 asistë. Në krah të tij, Pati Mills me 34 pikë (8 tripikësha). Bruklini nuk pati Kevin Durantin dhe Kajri Irvingun, të sëmurë me Kovid, ndërsa Lejkërsat nuk patën Entoni Dejvisin e dëmtuar. Tripëll dabëll pati edhe ylli i Lejkërsave, Rasëll Uestbruk, me 13 pikë, 12 topa në tabela e 11 asistë duke qenë bashkë me Oskar Robertsonin si të vetmit lojtarë me më shumë se një tripëll dabëll në mbrëmjen e Krishtlindjeve.
Sfidanti.al