Që nga epoka e Majk Tajsonit, kur edhe mund të përmendej ky epitet, nuk po gjenim dot spektakël tjetër të ngjashëm. Boksi profesionist ka pasur disa “Ndeshje të Shekullit”, si Muhamed Ali-Xhorxh Foreman apo Mejuedhër-Pakiao, ndërsa tani, për herë të parë, do të kemi një të tillë 100 për qind britanike. Tajson Fjuri dhe Entoni Xhoshua do të përballen në ring, për peshat e rënda, verën e vitit të ardhshëm, ndërsa mediat londineze njoftojnë se është arritur marrëveshja mes palëve.
Të dy kampionët do të kenë “disa hesape për të larë” përpara sesa të “kryqëzojnë armët”, pasi Fjuri do të bëjë duelin e tretë me amerikanin Diontej Uajlder, e Xhoshua do të luftojë ndaj bullgarit Kubrat Pulev dhe britanikut tjetër Dilian Uajt. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë pretendentë britanikë për brezat e artë, ndërsa i fundit kampion përpara këtij brezi, ka qenë Lenoks Ljuisi që mundi Tajsonin dhe Holifildin.
Dueli Fjuri-Xhoshua ka më shumë gjasa të mbahet në Arabinë Saudite, për arsye financiare, ndërsa më pas vjen Las Vegasi në SHBA dhe stadiumi “Uembli” i Londrës. Palët pohuan se nuk është vendosur ende data dhe vendi i luftimit, pra nuk është përcaktuar as aspekti financiar.
Sfidanti.al