Tifozët e Liverpulit i shohin në TV ndeshjet, por në “Anfild”!

Atmosfera e madhe me tifozë nuk do të jetë, por gjithsesi, ky është maksimumi sot për sot. Liverpuli do të ketë mundësi t’i luajë në stadiumin e tij “Anfild” ndeshjet e mbetura shtëpiake të këtij sezoni të Premier Ligës, pas një vendimi tepër të rëndësishëm të Këshillit Bashkiak të qytetit. Këshilli vendosi, pas konsultimit me specialistët e sigurisë, se të kuqtë mund të luajnë në “Anfild”, pavarësisht se më herët u mendua që sfidat të zhvilloheshin në fusha asnjanëse. Lehtësimi i situatës së koronavirusit, padyshim që ndikoi në vendimin e pushtetit vendor.

Në një nga këto ndeshje pritet që skuadra e trajnerit Jurgen Klop të fitojë zyrtarisht titullin kampion. Do të ishte një emocion i madh, pasi Liverpuli e kaq fituar titullin për herë të fundit në 1990, pra 30 vjet më parë, kur ende ishte në fushë brezi i lavdishëm i dikurshëm. Ekipi i sotëm kryeson bindshëm renditjen e kampionatit me 82 pikë në 29 ndeshje, ndërsa Mançester Siti është 25 pikë prapa, me 57, ndonëse ka luajtur një përballje më pak.

Këshilli i qytetit mori edhe një tjetër vendim të rëndësishëm. Ndeshja e parë e Liverpulit që prej rikthimit të Premier Ligës, do të jetë ndaj Evertonit, në fushë kundërshtare. U vendos që derbi i qytetit të luhet në stadiumin e bluve, “Gudison Park”, ndërsa më parë po mendohej që ai të zhvendosej në qytetin e Sauthemptonit, për shkak të rreziqeve të mëdha lidhur me sigurinë. Kjo sfidë, e para për kryesuesit në startin e dytë të sezonit, do të jetë në 21 qershor.

Sfidanti.al