Jo veç virusi, por edhe dëmtimet, s’ka spektakël “Federer” në 2020!

Çfarë fati i keq për tifozët e këtij sporti.  Nuk do të jenë në gjendje të shohin Rozher Federerin në terrenet e tenisit deri në fund të këtij viti. Legjenda zvicerane, tashmë në moshën 39-vjeçare, po kalon probleme të reja me dëmtimin në gju, dhe është i detyruar të shtyjë planet për rikthimin. Njëzet herë fituesi i Grand Slemeve nuk do të mund të konkurrojë në “US Open” në Nju Jork dhe në “Rolan Garos” në Paris, gjithnjë nëse këta turne të Çmimeve të Mëdha arrijnë të zhvillohen.

“Të dashur tifozë, së pari shpresoj të jeni mirë me shëndet, – shkruajti kampioni zviceran në rrjetet sociale, – disa javë më parë pata një problem gjatë riaftësimit, dhe m’u desh ta trajtoja sërish gjurin tim. Ashtu si në vitin 2017, unë do të marr më shumë kohë pushim për t’u kthyer në 100 për qind. Do të më marrë malli për ju, por shpresoj të jem gati për fillimin e vitit 2021”.

Federer është me gjasë tenisti më i mirë në histori, ndonëse rivalët si Rafael Nadal e Novak Gjokoviç po ia rrezikojnë këtë status. Ai e ka fituar pesë herë US Openin, duke qenë një nga më të mirët në këtë Grand Slem, jo larg 7 herë kampionëve si Bill Tilden, Riçard Siërs e Uilliam Larned. Në “Rolan Garos” ka qenë më pak i suksesshëm, duke fituar vetëm 1 titull, në vitin 2009, ndërsa Grand Slemi francez është dominuar për një kohë të gjatë nga rekordmeni absolut, Rafael Nadal. Këta dy Çmime të Mëdhenj u shtynë për shkak të pandemisë, ndërsa Uimbëlldoni u anulua për fare këtë vit. Federer do të synojë të fitojë Australian Openin në janar të vitit të ardhshëm, kur të ketë mbushur 40 vjeç.

Sfidanti.al