Napoli mban kreun me Rrahmanin, por Murinjo e ka bërë Romën pretendente!

Të tilla ishin përgjigjet për dy ndeshjet e mbrëmjes së hershme të kësaj të diele në Serinë A. Interi nuk mundi ta gëzonte gjatë kreun e renditjes pasi Napoli vazhdoi me “avazin”. Ekipit të trajnerit Luçiano Spaleti nuk i prishi punë humbja në Europë ndaj Spartakut të Moskës madje në stadiumin “Maradona”, sepse sapo skuadra titullare u kthye në fushë, ajo fitoi. Suksesi ishte 2-1 në stadiumin e Firences ndaj Fiorentinës, dhe tregon shumë për forcën e napolitanëve. Edhe pse Lukas Martinez kaloi vendasit në epërsi, Hirving Lozano dhe Amir Rrahmani përmbysën rezultatin. Një gol i rëndësishëm për mbrojtësin e Kosovës në 50’, ndërsa nuk ishte paraqitja më e mirë e kryesuesve. Napoli ka 21 pikë ndaj 17 të Interit.

Gjithsesi, në llogaritë për titull është edhe Roma e cila me Zhoze Murinjon po bëhet e rëndësishme siç ishte dikur me Spaletin. Kryeqytetasit fituan 2-0 ndaj Empolit me golat e shënuar nga Pelegrini në fund të pjesës së parë dhe Henrik Mkitarian në nisje të së dytës. Nedim Bajrami hyri në fushë në pjesën e dytë për Empolin duke mos mundur të ndryshonte fatin e ndeshjes, ndërsa Ardian Ismajli nuk ishte as në stol, aty ku ishin Samir Ujkani dhe Kristjan Asllani. Roma ka 15 pikë duke mos qenë larg vendeve të kreut.

Sfidanti.al