Bernar Tapi, shuhet “çamaroku” i madh i futbollit francez

Kur në nisje të vjeshtës të vitit 1990, Dinamo e Tiranës u përball me Olimpikun e madh të Marsejës, në kryeqytetin shqiptar erdhën përveç yjeve të ekipit i Papen apo Boli, edhe drejtues të shquar si Bekenbauer e Rajmond Getals. Në krye të kësaj “bande futbolli” ishte presidenti i Marsejës, Bernar Tapi, një njeri tepër i shkathët që ia kishte dalë të krijonte një perandori sportive për të thyer dominimin e Sent Etienit apo Bordojë. Ai ia arriti qëllimit dhe OM-ja u bë krenaria e Provansës, e Francës së Jugut apo e Francës Mesdhetare, përkundër Francës së Parisit, të Atlantikut apo të kufijve me Gjermaninë e Zvicrën. Olimpiku arriti kulmin me fitoren e Championsit në 1993 në finalen ndaj Milanit në Mynih, pasi kishte humbur finalen e 1991-it ndaj Crvena Zvezdës në Bari. Ky njeri i shkathër, çamarok i futbollit francez, ishte edhe politikan, ndërsa më pas u dënua për shkak se u gjetën shkelje dhe veprime korruptive. Sot ai është shuar, ndërsa Franca dhe Europa do ta mbajnë mend si një njeri të suksesshëm në jetë.
Sfidanti.al