Tashmë janë gjashtë fitore radhazi. Napoli nuk ka të ndalur në Serinë A dhe nëse nuk do të ishte disfata me Interin në 4 janar, do të kishte një seri suksesesh që do të zgjatej që nga fillimi i shtatorit. Diçka e jashtëzakonshme po ndodh me skuadrën e dikurshme të Maradonës që arriti triumfin e radhës ndaj Kremonezes. Në stadiumin që mban pikërisht emrin e Diegos, golat u shënuan nga Kvarackelia, Osimhen dhe Elmas, ndërsa marshimi nuk ka të ndalur. “Një puthje nga Napoli”, ka një titull të vogël “La Gazeta delo Sport”, ndoshta sepse fitoret e ekipit të Spaletit tashmë nuk janë surprizë.
Në vlerësimin e lojtarëve, e përditshmja milaneze thekson se vetëm Erling Halandi e kalon Osimhenin në ritmin e golave, pasi ylli napolitan ka 17 rrjeta në 18 ndeshje, me norvegjezin që është në kuotën 25 në 21 sfida. Nuk është habi që për nigerianin 24-vjeçar janë hedhur në sulm klube si Reali i Madridit apo Mançester Junajtidi, dhe që për kartonin e tij mund të jepen mbi 100 milionë euro.
“Kam shumë arsye t’i mendoj ndeshjet njërën pas tjetrës, – thotë ai – Kjo është mënyra sesi unë arsyetoj. Natyrisht, tifozët dhe gjithë qyteti presin që ne të bëjmë diçka të madhe. Në pjesën e parë nuk ishim kaq të qetë, madje ishim nervozë. Pas pushimit ishim shumë më mirë, patëm më shumë rregull dhe cilësi. Jam i lumtur që lojtarët japin maksimumin. Kjo bën diferencën”. Napoli ka 17 fitore në 18 ndeshjet e fundit dhe kryeson Serinë A me 59 pikë.
Sfidanti.al